- Get link
- X
- Other Apps
- Get link
- X
- Other Apps
“Shqiptarët patën shumë goditje, pasi ishin në kufi me sllavët. Rusët ishin në krahun e serbëve”, thotë ai, duke vijuar se, “për fat të keq, osmanët nuk fituan asnjë luftë me rusët”.
E këto humbje të osmanëve, historiani turk Yüksel thotë se, “faturën do ta paguanin shqiptarët”. “Shqiptarët ishin populli që frenonte sllavët dhe filluan të humbin tokat”, thotë më tej, historiani.
Ai gjithashtu tregon se si anglezët në atë kohë, i erdhën në ndihmë Turqisë, pasi nuk donin që rusët të merrnin Stambollin. “Shumë toka, iu dhuruan Serbisë”, thotë ai, duke treguar se tokat e shqiptarëve që u dhuruan ishin Presheva, Nishi dhe Vraja.
Studiuesi nga Turqia Müfid Yüksel, ka thënë se vetë ai ka kryer shumë studime në lidhje me marrëdhëniet mes osmanëve dhe shqiptarëve si dhe në lidhje me shqiptarët në Perandorinë Osmane Yüksel më tej në fjalën e tij shprehet: “Punimet e mija i kam shtjelluar duke i shoqëruar edhe me përmbajtje fotosh, ku tregohet historia e shqiptarëve në Perandorinë Osmane që nga hyrja e kësaj perandorie në Ballkan e deri në vitet 1910 -1920. Edhe në këtë konferencë treguam një pjesë nga ato fotografi, dokumente dhe informacione që kam në dispozicion”.
Yüksel ka folur për shqiptarët gjatë Perandorisë Osmane, duke përfshirë këtu jo vetëm 33 sadrazamët shqiptarë, por edhe për ata të cilët kanë qenë me detyrë si Prefektë apo detyra të tjera të larta në vendet e tjera si ato arabe, anën e tyre artistike e kulturore, etj.
“Në Perandorinë Osmane shoqëria më e fortë ishte ajo shqiptare. Lidhjet mes dy vendeve mund të ngrihen duke rilexuar historinë. Në të kaluarën kishim kaq shumë lidhje, saqë për shkak të pranisë së madhe të vezirëve në Sarajin Topkapi, në disa mbledhje mes tyre gjuha e përdorur ishte ajo shqipe.
Shqiptarët ishin shumë të fuqishëm dhe efektivë. Madje edhe në gurët e varreve dhe tyrbet, kemi dokumente që shkruhen dhe nënvizohen që këta persona kanë qenë shqiptar.
Domethënë Osmanlinjtë, e kanë gdhendur emrin e shqiptarëve edhe në mermer për shkak të rëndësisë që i jepnin atyre. Marrëdhëniet mes tyre nuk kanë qenë ashtu sikurse shpjegohet”.
Sipas tij, diaspora më e fortë e shqiptarëve është në Turqi, një pjesë e mirë e së cilëve janë në poste shumë të mira dhe të larta. “Është e papranueshme që një vend si Turqia që ka një prani kaq të lartë të diasporës shqiptare, të ketë marrëdhënie të tilla me vendet e tyre”- thotë Yüksel.
Duke vënë theksin edhe njëherë tek historia dhe vlerat e përbashkëta Yüksel thotë se, shqiptarët kanë ndikuar dhe lënë shumë gjurmë në historinë e shkuar të Turqisë. “Veprat e shqiptarëve mund ti shikosh gjithandej.
Po të hedhim një sy në Stamboll do të shikojmë që pas Sulltanëve dhe familjeve të tyre, më shumë vepra dhe shërbime kanë lënë pashallarët shqiptarë, pasi kjo shoqëri nxori më shumë sadrazamë dhe pashallarë, se sa çdo popull tjetër.
Këto vepra nuk janë të kufizuara vetëm në Stamboll. Në Dijarbakër, Halep, Damask si dhe në qytete të ngjashme kur shohim mbishkrimet e veprave të tyre që ende janë në këmbë, e kuptojmë që marrëdhëniet kanë qenë shumë më të ngjeshura dhe të mira”.
Yüksel në fjalën e tij gjithashtu vuri në dukje se, shërbimet e shqiptarëve nuk janë të kufizuara as me historinë e Perandorisë Osmane. Ai në këtë kuadër përmendi shqiptarët që kanë vazhduar të shërbejnë edhe më vonë në Egjipt, Irak dhe vende të tjera të ngjashme.
- Get link
- X
- Other Apps
Comments
Post a Comment